Pas aplikimit të fazës së tretë të masave lehtësuese ndaj pandemisë, në Kosovë janë shtuar rastet pozitive me ‘CoViD – 19’. Kjo ka bërë që specialistët e infektologjisë tu bëjnë thirrje edhe një herë qytetarëve, që të mos harrojnë aplikimin e masave mbrojtëse.
Specialisti i Infektologjisë në Klinikën Infektive në QKUK, Valbon Krasniqi, thotë për Radio KFOR-in se qytetarët duhet ta dinë se virusi ‘Covid – 19’, është ende prezent në Kosovë dhe gjithashtu shtoi: “Ne jemi dëshmitarë në javën e fundit kemi pasur një rritje të numrit të rasteve të reja të konfirmuara, në kohën kur ishim duke shkuar drejt fundit të pandemisë. Siç duket, zbutja e përshpejtuar e masave të fazës së tretë ndikoi në këtë rritje të numrit të rasteve. Si qytetarë, duhet ta kemi parasysh se virusi është ende prezent në Kosovë edhe pse jemi duke shkuar drejt normalitetit. Nuk mund të kthehemi përnjëherë në gjendjen e 12 marsit, para kohës së pandemisë. Ju rekomandoj qytetarëve që të vazhdojnë të mbajnë maska, të mbulojnë gojën dhe hundën sa herë dalin nga shtëpitë, sepse virusi futet në organizëm edhe përmes gojës dhe hundës. Të pastrojnë duart me dezinfektues të ndryshëm, ndërkohë që tubimet në masë duhet të shmangen patjetër në këtë kohë.”
Aktualisht në Kosovë nga 1.298 raste pozitive me ‘CoViD – 19’, deri më sot të shëruar janë 913 persona.