Historia e zhvillimit të filmit dhe kinematografisë në përgjithësi, paraqet një nga revolucionet më të mëdha të kësaj fushe, të shekullit të 19-të.
Teknologjia e filmit i ka rrënjët në fillim të vitit 1830, kur Joseph Plateau dhe Simon Stampfer zhvilluan një pajisje të quajtur fenakistoskop, i cili përfshinte një disk rrotullues me vrima, përmes të cilave mund të shiheshin një sërë vizatimesh, duke krijuar efektin e një imazh të vetëm lëvizës. Fenakistoskopi, i konsideruar si pajisja e filmave modernë, u pasua nga zbulimi tjetër i vitit 1890, nga Thomas Edison dhe ndihmësi i tij William Dickson, të cilët zhvilluan kamerën e parë të filmave, të quajtur Kinetograph.
Më 28 dhjetor 1895, për herë të parë u shfaq filmi i parë komercial në botë në Grand Kafe, në Paris. Filmi u realizua nga Louis dhe Auguste Lumiere, dy vëllezër francezë që zhvilluan një kamerë-projektor të quajtur Cinematographe. Vëllezërit Lumiere, në filmin e tyre të shkurtër shfaqën disa punëtorë që largoheshin nga fabrika Lumiere.
Filmi evoluoi me shpejtësi, në fillim të shekullit të 20-të. Vitet e hershme të filmit narrativ u karakterizuan nga eksperimentimi dhe eksplorimi i kësaj fushe të re.
Hapi i madh në këtë fushë, mbërriti me partneritetin midis regjisorit D. W. Griffith dhe kinematografit Billy Bitzer. Dyshja punuan së bashku nga viti 1908 deri në vitin 1924 dhe realizuan afro 500 filma. Atyre u vlerësohen teknikat thelbësore të filmit, duke përfshirë afrimin, zbehjen, fokusin dhe ndriçimin e pasmë në filma.
Epoka e artë e kinematografisë nisi pas futjes së zërit në filma. Në këtë kohë u krijuan edhe pesë studiot kryesore, që më pas dominuan prodhimin e filmit: Paramount, Warner Bros., RKO, MGM dhe 20th Century Fox. Disa nga filmat e parë të mirëfilltë të kësaj periudhe, ishin ‘Casablanca’ dhe ‘The Wizard of Oz’.
Vitet 1950 dhe 1960, sollën një epokë tjetër, krejtësisht moderne të kinematografisë. Pastaj, me hapa shumë të shpejtë u krijuan dhe u zbuluan pajisje moderne dhe teknologjia arriti kulmin në vitet 2000.