Puna vullnetare është një nga format më të mira të kontributit në komunitet, janë vullnetarët ata të cilët e tregojnë më së miri humanizmin, duke i dedikuar kohë e tyre të lirë në të mirë të shoqërisë. Një shembull i tillë është padyshim KFV Prishtina, e themeluar në vitin 2019 dhe qysh atëherë ka funksionuar në baza vullnetare duke stërvitur mbi 300 vajza në futboll, pa pagesë, nga të gjitha komunitetet në disa komuna të Kosovës.
Rreth punës vullnetare që po realizon ky klub, për Radio KFOR-in ka folur themeluesja e ‘KFV Prishtina’, znj. Armenda Filipaj, e cila tha: “Qëllimi i klubit është fuqizimi i vajzave përmes futbollit, barazia gjinore në futboll, rritja e pjesëmarrjes së vajzave në futboll pa shkaktuar shpenzime për prindërit si dhe parandalimi i të gjitha stereotipave dhe dhunës në sport. I gjithë aktiviteti ynë zhvillohet pas mësimit dhe vikendeve dhe me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm. Ne po ia dalim të mbulojmë shpenzimet operative, siç është fusha e stërvitjes, transporti, rekuizitat dhe trajnerët.”
Vullnetarizmi është një mënyrë domethënëse për ta bërë botën një vend më të mirë për të gjithë dhe për t’u ngritur si person.