Që nga shpërthimi i pandemisë në Kosovë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it, përveç ruajtjes së sigurisë, ata edhe përmes donacioneve të ndryshme po vazhdojnë të mbështesin popullatën vendase, institucionet shëndetësore, arsimore dhe jo vetëm. Donacioni i fundit i realizuar nga KFOR-i ishte më 1 mars, ku CIMIC-u (Bashkëpunimi Civilo-Ushtarak i KFOR-it), në bashkëpunim me LMT-të që veprojnë në Shtime, dhuruan një donacion, pajisje mbrojtëse ndaj Covid-19, me qëllim të ndihmës për personelin mjekësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare atje.
Më 24 shkurt, Komanda Rajonale Perëndim, e financuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Operacioneve të Përbashkëta Italiane, i dhuroi Qendrës Shëndetësore të Komunës së Pejës, pajisje mjekësore, të nevojshëm për kryerjen e kujdesit shëndetësor për t’u përballur me pandeminë COVID-19. Më 30 janar, Ekipi i CIMIC-ut të MSU-së Karabinieri-KFOR, të financuar nga Italia, dhuruan 22 tabela të bardha, për të përmirësuar kushtet në shkollat kosovare. Duke ndërvepruar me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, dorëzimi i tyre filloi me Shkollën Teknike në Mitrovicën e Veriut.
Me dhurimin e donacioneve të lartpërmendura dhe shumë të tjerave nga KFOR-i, dëshmohet përkushtimi i KFOR-it për t’i mbështetur institucionet në Kosovë, me fokus të veçantë në sistemin e kujdesit shëndetësor, arsimin, sportin dhe infrastrukturën dhe ofrimin e ndihmës për popullatën lokale.