Në situatën, në të cilën po kalojmë tash e gati 1 vit, përveç maskave mbrojtëse kundër virusit edhe dezinifektantët e duarve, na janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërive tona, duke u munduar që ta mbajmë në nivel higjienën tonë personale. Porse, a janë të dëmshme për shëndetin dhe a ekzistojnë rreziqe në përdorimin e shpeshtë të këtyre produkteve, Radio KFOR-i bisedoi me dermatologun Rexhep Morina: “Përdorimi i shpeshtë i dezinfektuesve në situatën aktuale të pandemisë, shkakton tharje të lëkurës së duarve, duke pasur parasysh se dezinfektuesi përmban 70 apo 80 përqindje alkooli dhe gjithashtu edhe larjen e shpeshtë të duarve me sapun. Të gjithë këta faktor, qojnë në largimin e yndyrës nga lëkura dhe tharjen e saj, me ç’rast largohet një barrierë mbrojtëse ndaj të gjithë faktorëve të tjerë, që vijnë në kontakt me lëkurën e duarve. Si rezultat lëkura edhe irritohet dhe humb elasticitetin nga pakësimi i yndyrës së saj, si përshkallëzim mund të shkaktohen edhe qarje të lëkurës, deri në dëmtim të integritetit të shtresës së sipërme të saj”, informoi Dr. Morina.
Për këtë arsye, shumë ekspertë sugjerojnë që sidomos në kohë pandemie, të përdoren më shumë dorezat gjatë ditës, për t’i ikur larjes së shpeshtë apo dezinfektimit të shpeshtë të duarve.