Ekipi Ushtarak dhe Civil (CIMIC) i KFOR-it në bashkëpunim me Kolegjin Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë (IBCM) do të organizojnë kurse të gjuhës shqipe dhe serbe, pa pagesë. Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi i fortë në mes të komuniteteve të ndryshme në Kosovë rezulton me projekte të dobishme, nga të cilat përfiton e gjithë shoqëria, pa asnjë dallim.
Falë këtij projekti të iniciuar nga përfaqësuesit e CIMIC-ut, Komunitetit Shqiptar dhe atij Serb do t’iu jepet mundësia që të mësojnë gjuhën e njëri – tjetrit. Kolegji IBCM ka dy ndërtesa, në të cilat të rinjtë e interesuar mund të mësojnë gjuhën shqipe dhe atë serbe. Njëra nga këto ndërtesa ndodhet në pjesën jugore të Mitrovicës, ndërsa tjetra në pjesën veriore të qytetit. Këto kurse të gjuhës shqipe dhe serbe do të realizohen në dy cikle tre mujore, gjatë të cilave dy herë në javë të rinjtë do të ndjekin ligjëratat për gjuhën që kanë zgjedhur për ta mësuar. Cikli i parë i ligjëratave do të mbahet nga data 10 mars deri në muajin maj 2020, ndërsa cikli i dytë do të mbahet nga muaji shtator deri në muajin nëntor 2020.
Ky projekt për mësimin e gjuhëve është shumë i rëndësishëm për KFOR-in, sepse dëshmon se përmes projekteve të CIMIC-ut, KFOR-i po kontribuon në mënyrë të paanshme për mirëqenien e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Kurset e mësimit të gjuhës serbe dhe shqipe do të ofrohen pa pagesë dhe ato mund t’i ndjekin të gjithë të interesuarit, pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike apo moshës.
Meqenëse gjuha është çelësi që iu hap rrugën të rinjve, të gjitha gjeneratat e reja duhet të shpërndajnë energjinë dhe pozitivitetin e tyre për të mësuar gjuhën e njëri tjetrit. Vetëm kështu mund të kontribuojmë të gjithë në krijimin e një shoqërie më të mirë dhe më gjithëpërfshirëse, me një klimë më të shëndetshme për fëmijët tanë dhe qasje të plotë në vlerat demokratike që i synojmë të gjithë.