Krahas misionit të paqes dhe sigurisë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it, po vazhdojnë të ndihmojnë të gjithë njerëzit në Kosovë. Dje, 20 nëntor, Kontingjenti Italian i KFOR-it i dhuroi një donacion Shoqatës së të Verbërve, në Istog. Për të mësuar më shumë rreth këtij donacioni, Radio KFOR-i morri një prononcim nga kolonel Florenc Veliu, zv.komandant i Komandës Rajonale Perëndimore në Pejë, i cili tha: “Komanda Rajonale Perëndimore e NATO-s në Pejë, sot po dhuron një donacion për Shoqatën e të Verbërve në qytetin e Istogut. Ky donacion përfshinë materiale për t’u ardhur në ndihmë të verbërve, siç janë shkopinj mbajtës, shkopinj të bardhë, ora dore speciale, kompjuter brajl, tabela shahu për të verbër dhe mjete të tjera ndihmëse. Besoj që ky donacion sado pak do t’u ndihmojë në mbarëvajtjen ditore ose në jetën e të verbërve. Përveç sigurisë, KFOR-i mundohet që të ju ofrojë ndihmë këtyre shtresave në nevojë, siç janë të verbërit.”
Falënderues për këtë donacion u shprehën edhe nga Shoqata e të Verbërve në Istog, ku kryetarja e kësaj shoqate, znj. Besartë Gorqaj, për Radio KFOR-in tha: “Ky donacion do t’i shërbejë shumë kësaj kategorie, kanë qenë pajisje më se të nevojshme. Jam shumë mirënjohëse dhe falënderuese për donacionin. Unë e falënderoj KFOR-in për gjithçka që bënë në Kosovë, por edhe për kategorinë e personave të verbër, si në Istog ashtu edhe në nivel Kosove. Mesazhi im për të gjithë është, të jemi ata që bëjmë paqen, sillemi mirë me personat në nevoja, i trajtojmë ashtu siç duhet, duke pas parasysh që janë një kategori tejet e veçantë.”
Donacioni në Shoqatën e të Verbërve në Istog, tregon edhe njëherë përkushtimin e KFOR-it për mbështetjen e komuniteteve dhe përmirësimin e jetës së të gjithëve në Kosovë.







