Për t’ju dalë në ndihmë qytetarëve nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, Misioni i KFOR-it që nga fillimi i pandemisë ‘Covid – 19’, ka dhuruar donacione të shumta për institucionet shëndetësore në Komuna të ndryshme në Kosovë.
Këto donacione janë mirëpritur nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, ku Shefi i Zyrës për Informim dhe Komunikim me Publikun në këtë Ministri, Faik Hoti, në një përgjigje për Radio KFOR-in tha: “KFOR-i ka ndihmuar me 300 teste për diagnostikimin e SARS-COV-2. Po ashtu, me ndërmjetësim të forcës paqeruajtëse të KFOR-it, kontingjentit të forcave italiane, në kuadër të bashkëpunimit rajonal ka pasur video konferencë midis ministrave të Shëndetësisë së rajonit: Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, të cilët kanë folur për sfidat e secilit vend në menaxhimin e pandemisë Covid-19”.
Mirënjohës për kontributin e KFOR-it u shprehën edhe nga Spitali në Graçanicë, ku në një prononcim për Radio KFOR-in, drejtori i këtij spitali, Bratislav Lazic, tha: “Donacionet e KFOR-it kanë domethënie të madhe për ne. Bashkëpunimi me ta është korrekt, domethënës dhe i nevojshëm. Ne jemi të kënaqur që bashkëpunimi me ta ka qenë gjithmonë në nivel të lartë dhe shpresoj se ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen.”
Në mbrojtjen e stafit mjekësor nga ‘Covid – 19’, ka kontribuar edhe Fondacioni ‘BONEVET’, të cilët i kontaktuam po ashtu dhe zëdhënësja për media nga ky Fondacion, Ariana Çaka, tregoi se kanë dhuruar mburoja të fytyrës për institucionet shëndetësore në Kosovë dhe shtoi: “Deri më tani kemi shpërndarë 7.088 mburoja fytyre, në 28 komuna të Kosovës, pa asnjë dallim etnie në përbërjen e tyre. Kështu, ne kemi ndarë mburoja për institucionet shëndetësore në Mitrovicë të Veriut, Ranillugë, Partesh, Novobërdë, etj.”
Donacionet për luftimin e pandemisë në Kosovë kanë qenë të shumta, njoftoi për Radio KFOR-in edhe zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, i cili shtoi: “Në menaxhimin e situatës me ‘Covid – 19’, Kosova gëzoi mbështetje të mirë ndërkombëtare nga: Organizata Botërore e Shëndetësisë, Bashkimi Evropian që ndau 5.2 milionë euro në mjete mbrojtëse dhe aparaturë mjekësore, Projekti i Shëndetësisë kosovare në kuadër të huamarrjes nga Banka Botërore me rreth 3 milionë euro, SHBA kanë ndihmuar me 1.1 milionë euro (pako higjienike për menaxhimin e COVID-19), UNICEF-i me mjete mbrojtëse profesionale në vëllim prej 3.6 ton, Republika e Turqisë që solli në Kosovë një kontingjent në vëllim prej 9m³ mjete mbrojtëse dhe pajisje mjekësore, Fondi Global dhuroi mjete mbrojtëse dhe pajisje laboratorike, duke siguruar edhe një aparaturë të RT-PCR (për testimin e të dyshuarve për SARS-COV-2), Qeveria e Zvicrës dhe shtete të tjera, UNDP ka ndihmuar Kosovën me 8000 komplete për testime (3000+5000), Aeroporti i Prishtinës dhe Limak kanë kontribuar me pako higjienike për personat e vendosur në karantinë si dhe Republika e Shqipërisë ka mbështetur SHSKUK-n me mjete mbrojtëse profesionale.”