Për t‘i ndihmuar ekonomikisht gratë, Kontingjenti Italian i cili vepron në kuadër të Komandës Rajonale – Perëndim, ndihmoi Shoqatën e Gruas ‘Jeta’ në Deçan, duke i dhuruar pajisje për kuzhinë, të cilat u kishin munguar. Promovimi i këtij projekti u bë të hënën (6 mars), në prani të përfaqësuesve të shumtë, të KFOR-it, të komunës dhe grave të cilat e përfaqësojnë shoqatën ‘Jeta’.
OJQ ‘Jeta’ është themeluar në vitin 2005 dhe për mision ka fuqizimin e gruas në sfera të ndryshme të jetës, thyerjen e paragjykimeve dhe stereotipave.
I pranishëm në dhurimin e këtij donacioni, ishte edhe Komandanti i Komandës Rajonale – Perëndim të KFOR-it, Koloneli, Mario Bozzi: “Është një angazhim shtesë për mua, që të mbështes këtë kauzë të grave. Nëse një shoqëri nuk bazohet te gratë, mendoj se nuk mund të ecën përpara. Dua të falënderoj të gjithë të pranishmit dhe të dëshmoj se ka një përkujdesje për këto shoqata dhe për këto institucione”.
Ishte drejtoresha e kësaj organizate, znj. Safete Gacaferri, që para të pranishmëve, falënderoi KFOR-in italian për mbështetjen e tyre, me projekte të shumta: “Dua ta falënderoj nga zemra KFOR-in Italian, që për këto 19-të vite kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë. Na kanë ndihmuar me projekte të ndryshme. Projekti i parë, ka qenë ndihma që na erdhi me makina të qepjes, pastaj me projektin e floktarisë, me sallonin estetik dhe së fundmi është projekti i kuzhinës, për të cilën kemi pasur shumë nevojë. Kjo kuzhinë ka ardhur në kohën e duhur, për t’i fuqizuar gratë ekonomikisht, duke iu ofruar kurse për kuzhinë, në mënyrë profesionale, që me ketë diplomë që e marrin në Shoqatën ‘Jeta’, të gjejnë punë.”
Përmes projektit të realizuar tek Shoqata e Gruas ‘Jeta’ në Deçan, në prag të shënimit të festës së 8 Marsit, KFOR-i po dëshmon se përkushtimi i tyre në sigurimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit në Kosovë, vazhdon edhe më tutje!