Bashkëjetesa dhe bashkëpunimi i fortë midis komuniteteve të ndryshme në Kosovë, rezulton me projekte të dobishme që përfitojnë shoqëria në tërësi, pa dallime. Në një ceremoni solemne, sot (22.09.2020), në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Osman Rama”, në Çabër, komuna e Zubin Potokut, u përurua këndi i lojërave, ndriçimi i objektit shkollor, rregullimi i fushës së basketit si dhe ndriçimi i jashtëm i shkollës. Të gjitha këto projekte u realizuan falë kontributit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC) i KFOR-it.
I pranishëm në këtë ceremoni të përurimit të këtyre projekteve ishte edhe zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale të Lindjes-KFOR, Koloneli, Hoback, i cili theksoi: “Sot po e përurojmë këndin e lojërave i cili është i dedikuar për komunitetin, dhe një nga arsyet pse e bëjmë këtë si KFOR është sepse ne jemi të interesuar tek rinia e Kosovës. Ne e dimë se fëmijët janë e ardhmja. Dua prapë të potencoj se qëllimi ynë është të ofrojmë stabilitet në Kosovë, për popullatën dhe për institucionet në Kosovë. Ne mund t’i ndihmojmë ata të jenë më produktiv.”
Me këtë rast, mësimdhënësja dhe përgjegjësja e shkollës “Osman Rama”, Arjeta Zatriqi- Begu e falënderoi KFOR-in për ofrimin e mirëqenies më të mirë për fëmijët: “E falënderojmë shumë KFOR-in në përgjithësi për kontributin e tyre, për shkollën tonë si dhe komunitetin e fshatit. Ka shumë fëmijë të cilët nuk kanë mundësi financiare të shkojnë tek këndet tjera të lodrave, e tani mund të vijnë këtu për të përjetuar kënaqësi”.
Nxënësit e shkollës në fjalë ishin më të lumturit për këto donacione: “Quhem Dafina Kurti, i jemi shumë mirënjohës KFOR-it, sepse na ka ofruar kënd të lojërave, fushën e basketbollit dhe po ashtu edhe ndriçimin. Meqë ditët tani shkurtohen, ky ndriçim i brendshëm dhe i jashtëm do të na hyjë shumë në punë”.
I lumtur ishte edhe nxënësi tjetër, Adhurim Zeqiri i cili për Radio KFOR-in tha: “Ne e falënderojmë KFOR-in për këtë investim, se koshi ynë ka qenë i prishur, tani është i ri. Ne jemi shumë falënderues sepse tani edhe salla është e ndriçuar si dhe kemi këndin e lojërave ku mundemi edhe të argëtohemi”.
Përmes projekteve të ndryshme të realizuara, KFOR-i po dëshmon se ata janë këtu për të qenë më pranë të gjithë njerëzve pavarësisht nga përkatësisë etnike si dhe janë vazhdimisht të përkushtuar në sigurimin e një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.