Në shërbimin zjarrfikës, për të luftuar kundër zjarrit, qëndrojnë persona, të cilët me vetëmohim e vënë jetën e tyre në rrezik, për të shuar zjarre, me të vetmin mision, shpëtimin e jetës së njeriut. Por, për ta realizuar këtë mision jetik, atyre u nevojiten pajisje adekuate, të cilat do të ju lehtësonin këtë proces, sa të vështirë, aq edhe të rrezikshëm.
Për të dhurimin e këtij donacioni të rëndësishëm për njësinë e zjarrfikësve në Drenas, foli zëvendës komandanti i Komandës Rajonale-Lindje, Koloneli, Özgür Özgeng: “Sot, është një mundësi e shkëlqyer për të festuar partneritetin tonë, në mes të komunitetit vendor dhe KFOR-it. Është një privilegj të punojmë së bashku, për të rritur aftësitë e brigadës së zjarrfikësve, në ofrimin e shërbimeve të reagimit emergjent, për sigurinë e popullatës lokale. Kam kënaqësinë të njoftoj se kemi qenë në gjendje të ofrojmë një kompresor që do të përmirësojë aftësitë e Brigadës së Zjarrfikësve, në Drenas. KFOR-i është gjithmonë i gatshëm të ndihmojë, për të përmirësuar performancën e reaguesve të parë”, theksoi Kolonel, Özgür Özgeng.
Në pranimin e këtij donacioni, i pranishëm ishte edhe kryetari i kësaj komune, z. Ramiz Lladrovci, i cili nënvizoi: “Kjo pajisje do t’i shërbejë njësisë së zjarrfikësve në shpëtimin e jetëve të të gjithë banorëve të Drenasit. Prandaj i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim KFOR-it, që është gjithmonë i gatshëm të jetë pranë nesh, duke u përgjigjur ndaj kërkesave tona, për mirëqenien dhe sigurinë e të gjithëve”, tha kryetari Lladrovci, i cili në shenjë mirënjohjeje ndaj këtij donacioni, i dhuroi edhe një mirënjohje kolonelit, Özgür Özgeng.
Falënderues për këtë donacion dhe për gatishmërinë e KFOR-it, për të ndihmuar në vazhdimësi popullatën vendase, u shpreh edhe komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve të Kosovës, z. Afrim Gjeli, i cili tha: “Përmes këtij donacioni material, zjarrfikësit e Drenasit dhe komuniteti fqinj kanë fituar kapacitet si në kohë ashtu edhe në resurse. Popullsia lokale, është më e sigurt në jetën e tyre të përditshme, për shkak të përpjekjeve të zjarrfikësve, personelit të sigurisë dhe shërbimeve të tjera të reagimit ndaj emergjencave. Dje, sot dhe nesër, ne përgjithmonë do të jemi falënderues ndaj KFOR-it, për ndihmën e tyre të pakursyer.”
KFOR-i është plotësisht i përkushtuar për të mbështetur në mënyrë të paanshme të gjitha komunitetet, reaguesit e parë, autoritetet lokale dhe institucionet në mbarë Kosovën.