Në përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve dhe standardit në trajtim të rasteve të dhunës në familje, me datën 24.01.24, në Stacionin Policor të Kosovës, në Obiliq u përurua një dhomë familjare, donacion ky nga KFOR-i.
Falënderues për këtë donacion ishte Komandanti i Stacionit Policor të Kosovës, në Obiliq, Toger Zekrija Januzi, i cili nënvizoi se kjo dhomë mike është e domosdoshme në trajtimin e viktimave të dhunës në familje.
Mirënjohës për këtë ndihmë nga KFOR-i, ishte edhe kryetari i Komunës së Obiliqit, z. Xhafer Gashi: “I jemi shumë mirënjohës Policisë për punën dhe aktivitetet që janë duke i bërë në komunën tonë, që është njëra ndër komunat me më së shumti multietnicitet në Kosovë. Jemi mirënjohës edhe ndaj KFOR-it për aktivitetet që po i zhvillojnë në komunën tonë.”
Për rëndësinë e këtij donacioni foli edhe këshilltarja e çështjeve gjinore në KFOR, Dr. Elisabeth Schleicher, e cila mes tjerash pohoi: “Këto dhoma janë të rëndësishme, sepse duken si dhoma të ndejës dhe ndikojnë që viktimat të mund të shprehen më lirshëm për dhunën që e përjetojnë. E po ashtu i ndihmojnë Policisë së Kosovës, në marrjen e deklaratave të duhura nga viktimat, që pastaj ato të trajtohen më mirë edhe nga Prokuroria.”
Entuziast për ofrimin e kësaj ndihme ndaj viktimave të dhunës në familje dhe Policisë së Kosovës, në Obiliq, ishte edhe shefi i stafit RC-East, LTC John Melendez: “Ne po ofrojmë materiale të ndryshme për viktimat e dhunës në familje brenda këtij komuniteti dhe po e mbështesim po ashtu Policinë e Kosovës, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më të mira për gjithë komunitetin.”
KFOR-i, përmes projekteve dhe donacioneve të CIMIC-ut, edhe një herë dëshmojnë prezencën e tyre jo vetëm në aspektin e sigurisë dhe paqes në Kosovë, por edhe duke dhënë kontribut në përmirësimin e mirëqenies dhe ndihmës në sektorë të ndryshëm.