Në Vushtrri këtë vit për herë të shtatë me radhë, do të organizohet ‘Konferenca ndërkombëtare për siguri publike dhe mobilitet’. Të gjitha institucionet dhe organizatat e sigurisë publike në vend duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë, do të bëhen bashkë me 23 janar, për të diskutuar rreth sigurisë rrugore dhe publike, për të ndihmuar në rritjen e sigurisë publike në Kosovë.
Eksperti i sigurisë rrugore dhe njëherit organizator i kësaj conference, Visar Baxhuku, për Radio KFOR-in tregoi për rëndësinë dhe qëllimin e kësaj konference: “Këtë vit organizojmë për herë të shtatë këtë konferencë dhe qëllimi është që të vihet në pah siguria rrugore dhe ndikimet e saj gjithashtu, tani kemi edhe një zgjerim të gamës për siguri rrugore, që është mobiliteti në zonat urbane. Synimi është ulja e numrit të aksidenteve dhe rritja e komoditetit të shfrytëzuesve në rrugë. Risi këtë vit është bashkëpunimi ynë me ‘Akademinë e Sigurisë Publike’, që bashkarisht të trajtohet siguria publike dhe siguria në lëvizje”.
Konferenca është e ndarë në tre seanca dhe përfundundon me 25 janar të këtij viti.