Kanë kaluar 56 ditë nga finalja e madhe e Ligës së Kampionëve Inter – Manchester City. Sezoni i ri 2023-2024, i garave më prestigjioze futbollistike për skuadra do të filloj nga nesër, më 19 shtator. Janë gjithsej 32 skuadra që do të luftojnë për titullin më prestigjioz botëror, me finalen e madhe që do të luhet në Wembley të Londrës.
Java e parë e fazës së grupeve do të sjellë ndeshje shumë interesante. Nesër me datën 19 shtator, do të jenë tetë ndeshje në plan program, ku spikat përballja Paris Saint Germain – Dortmund. Në këtë ditë, Milan në San Siro pret Newcastle, ndërsa Barcelona luan ndaj Antwerpit të Arbnor Mujës.
Të mërkurën, do të jenë po ashtu tetë ndeshje të tjera, që do të zhvillohen në mbrëmje, ku takimi më interesant do të jetë mes Bayern Munchen – Manchester United. Arsenali i rikthyer pas shumë vitesh në Ligën e Kampionëve, kampanjën e nis në “Emirates” ndaj PSV, Real Madridi do të ballafaqohet me Union Berlinin, ndërsa Interi do të jetë mysafire e Real Sociedadit.
Ndërkaq, të enjten e 21 shtatorit, pritet të fillojnë garat në Europa League dhe Conference League. Skuadra kosovare, Ballkani do të jetë për vitin e dytë rresht në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ku do të sfidohet me skuadra shumë të forta. Në grupin C, therandasit janë me Dinamo Zagreb, Viktoria Plzen dhe Astana teksa lojën e parë, nga ora 21:00 e fillon si mysafire në Çeki ndaj Viktoria Plzen.