Sot, më 10 qershor, në kuadër të kampanjës #K4musicians, i ftuar në studio ishte këngëtari Ndriçim Gazija, i cili tregoi për rrugëtimin e tij profesional në muzikë.
Artisti Gazija, si talent u veçua edhe sa ishte pjesë e edicionit të 6-të, të garës muzikore ‘The Voice Of Albania’, aty ku arriti të klasifikohet nga një juri profesionale dhe më vonë u bë pjesë e ekipit të udhëhequr nga artisti i njohur, Alban Skenderaj. Sot, ai është një talent që po e njohin shumë njerëz, e kjo falë angazhimeve të shumta që ka në mbrëmjet muzikore gjithandej vendit, ndërsa për Radio K4-in ai zbuloi se është duke punuar në një projekt të ri muzikor: “Jam duke punuar në një këngë, nuk po dua të jap detaje më shumë, por që shpresoj që së shpejti do të finalizohet.”
Dëgjuesit e Radio KFOR-it, gjatë emisionit Macchiato Lounge, kanë pasur mundësinë që të shijojnë edhe super-perfomancë live nga Ndriçim Gazija, një talent që duhet ta dëgjoni për së afërmi kurdo që do të keni mundësi, në një nga mbrëmjet ku performon ai. Në mesazhin drejtuar të gjithë të rinjve, Gazija tha: “Bëni atë që doni, realizoni ëndrrat tuaja dhe asnjëherë mos u dorëzoni.”
Ndriçim Gazija, udhëtimin e tij profesional muzikor e ka filluar qysh në moshë të hershme. Mësimet e para për piano i ka marr në moshën 9 vjeçare, në Shkollën e Muzikës ‘Prenk Jakova’, në Gjakovë. Pastaj, rreth moshës 15 vjeçare, ai ka filluar mësimet për kitarë, për ta vazhduar shkollimin për kanto, në shkollën e mesme ‘Prenk Jakova’ dhe në Universitetin e Tetovës.