Sot (05.06.22), festohet “Dita Botërore e Mjedisit”, e cila synon të na ndërgjegjësoj për ruajtjen e mjedisit dhe që ne të veprojmë me aksione të ndryshme për ruajtjen dhe pastrimin e mjedisit.
Sot më shumë se kurrë vlerësohet stabiliteti mjedisor, duke e ditur se miliona njerëz në mbarë botën, janë të zhvendosur dhe lëvizin nga vendi në vend, nga fatkeqësitë natyrore dhe efekte të ndryshimeve negative klimatike. Vlen të përmendim vitin 2021, ku 23.7 milionë banorë në mbarë botën u zhvendosën nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore.
Lidhur me këtë ditë, Radio KFOR-i mori një mesazh nga Organizata Joqeveritare “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” e cila merret me ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë: “Ruajtja e mjedisit duhet të shndërrohet në kulturë të përgjithshme, sepse lidhet ngushtë me shëndetin, mirëqenien e zhvillimin e vendit. Andaj, kontributi duhet të jetë i përbashkët, i përditshëm, deri në arritjen e ndonjë zgjidhje më afatgjate. “Let’s Do It” do të angazhohet në vazhdimësi që investimi në mjedis të shndërrohet në prioritet të institucioneve dhe të ngritët vetëdija qytetare”.
Motoja e këtij viti për të shënuar “Ditën Botërore të Mjedisit”, është “vetëm një Botë”, që në fokus ka të jetuarit në mënyrë të qëndrueshme, në harmoni me natyrën.