Në Qytetin e Pejës, apo më saktësisht në Palestrën “Karakaqi” dalëngadalë është duke u kthyer përsëri dinjiteti i basketbollit falë kryesisë së klubit, të cilët tashmë e kanë marrë shumë seriozisht ndërtimin e skuadrës, për ta bërë atë sa më garuese dhe për të kthyer në Pejë ndonjë titull të munguar.
Për Radio KFOR-in foli kryetari i Klubit të Basketbollit Peja, Art Gashi: “KB Peja është përforcuar me dy lojtarë vendor, të cilët janë shumë cilësor. Art Hajdarin e kemi transferuar nga “KB Feronikli” dhe Dardan Berisha, i cili është rikthyer në shtëpinë e tij. Me lojtarë të tillë, sigurisht që pretendojmë titullin. Ndërsa, nga lojtarë të huaj kemi nënshkruar kontratë me një kanadez fillimisht, mirëpo ka dështuar sepse ai kishte nënshkruar kontratë të dyfishtë, andaj presim dëmshpërblim nga ana e “FIBA”-s , ndërsa në pozitën qendër kemi transferuar Rick Jackson, i cili ka një përvojë të madhe në arenën ndërkombëtare, gjithashtu ka pasur ndeshje të zhvilluar në Ligën Ballkanike dhe statistikat kanë qenë të suksesshme. Mendoj që me përforcime dhe traditën që kemi tashmë, do të jemi konkurrues në Kupën e Kosovës për titull, si dhe në Ligën Ballkanike”.
Përveç kryesisë së klubit, të emocionuar me ndryshime të bëra janë edhe tifozët e Pejës, prandaj shpresojnë që të fitojnë ndonjë titull në këtë stinor.