Në kuadër të kampanjës së kinematografisë, që ka filluar në Radio KFOR, që i dedikohet kinematografisë, i ftuar ishte regjisori, Kushtrim Koliqi.
Në një bisedë me gazetaren/moderatoren Trendelina Duli, z. Koliqi për dëgjuesit e Radio KFOR-it, ndau rrugëtimin e tij profesional si regjisor, duke treguar edhe fillimet e tij drejt këtij rrugëtimi: “Ka shumë faktorë që unë e kam zgjedhur këtë profesion, por gjithçka filloi në shkollën e mesme, kur mora unë pjesë në një shfaqje për fëmijë. Pastaj kam ndjekur studimet në regji dhe kam qenë studenti më i ri në degën e regjisë. Profesori Bekim Lumi, ka qenë një nga udhëzuesit dhe miqtë e mi më të mirë nga kjo kohë. Një nga punët më interesante por edhe më sfiduese, ka qenë shfaqja ‘Unë jam vet Grua’, një monodramë shumë interesante sepse 1 aktor i luan mbi 40 personazhe dhe flet për një person transgjender, që kalon nëpër shumë sfida dhe është bazuar në një ngjarje të vërtetë.”
Z. Koliqi po ashtu tregoi se edhe shfaqja ‘Babai dhe babai’ është një nga shfaqjet e tij më të vlerësuara, me shumë çmime dhe një nga shfaqjet në të cilat ai ka punuar më së shumti. Po ashtu, një nga projektet e shumta të organizuara nga regjisori Koliqi, është edhe festivali ‘Mirdita, Dobar Dan’, që paraqet një nga aktivitetet më të njohura që bën bashkë komunitetin shqiptar dhe serb.
Për fund, regjisori Koliqi, pati edhe një mesazh për të rinjtë, që mendimet e tyre të jenë të dokumentuara dhe të bazuara në fakte dhe mos të jenë dogma të bazuara në ideologji.