Për të katërtin vit me radhë, në Prishtinë po organizohet kampanja humanitare “Vrapo Babadimër”.
Tashmë, në sheshet e Prishtinës janë vendosur shtandet ku të gjithë të interesuarit mund të blejnë kostumet për mini-maratonën e cila do të mbahet më 15 dhjetor, me fillim nga ora 13:00.
Për të ditur më shumë rreth këtij organizimi, Radio KFOR-i kontaktoi me organizatorin e kësaj ngjarje, Jusuf Islami, i cili theksoi:
“Në edicionin e katërt të kësaj mini-maratone mendojmë t’i ndihmojmë rreth 100 familje në nevojë. Nga 150 pjesëmarrës në edicionin e parë, këtë vit pritet të jenë 2 mijë babadimra, me ç ‘rast do të jetë një atmosferë shumë e këndshme. Qëllim i gjithë kësaj është që t’i ndihmojmë familjet në nevojë për festat e fundivitit. Përveç promovimit të humanizmit, këtë herë promovojmë edhe sportin, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik. Andaj, i ftojmë të gjithë që t’i bashkohen kësaj iniciative, sepse është shumë humane të ndihmosh njerëzit në nevojë. Falënderojmë edhe Komunën e Prishtinës, e cila këtë herë për herë të parë na ka ndihmuar edhe me subvencione.”
‘Bëhu babadimër, jepi buzëqeshje një familjeje’ , kjo është motoja e sivjetmë e organizmit që vjen nga ‘Projekti 5 Cent’ ndërsa pjesë e kampanjës është edhe Komiteti Olimpik i Kosovës.
Është bërë e ditur se kostumi për të rriturit është 10 euro, ndërsa për fëmijë, 5 euro. Mjetet financiare do të shkojnë për familjet me kushte të rënda ekonomiko-sociale.