Nga kafshët shtëpiake që janë pjesë e familjeve tona, te speciet e egra që jetojnë në habitatet më të largëta të planetit, kafshët janë një pjesë e pandashme e jetës në Tokë. Më 4 tetor, vëmendja përqendrohet te mirëqenia e tyre dhe rëndësia e mbrojtjes së çdo forme të jetës në shënimin e ‘Ditës Botërore të Kafshëve’.
Dita e sotme është një mundësi për të reflektuar mbi rolin e rëndësishëm që kanë kafshët në ekosisteme, që nga ruajtja e ekuilibrave natyrorë e deri te shpërndarja e farave dhe pllenimi i bimëve.
Në mbarë botën, sot organizohen aktivitete që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin për mirëqenien e kafshëve, mbrojtjen e specieve të rrezikuara dhe ruajtjen e habitateve natyrore.
Por mbrojtja nuk fillon vetëm në organizata apo institucione. Kujdesi ndaj një kafshe shtëpiake, mos braktisja e tyre, respektimi i kafshëve të egra dhe mbrojtja e natyrës janë hapa të thjeshtë që mund të bëjë secili. Në fund, mënyra se si sillemi me kafshët tregon shumë edhe për mënyrën se si kujdesemi për mjedisin ku jetojmë.







