Ata që janë me ty në të mirë e në të keq dhe të duan po njësoj, përveç prindërve, janë padyshim motra apo vëllai. E pikërisht sot (10 prill), shënohet ‘Dita Botërore e motrave dhe vëllezërve’, për të nderuar rëndësinë që ata kanë në jetën tonë. Jo vetëm motra, por edhe binjake një vezore, që përveç dukjes fizike, kanë edhe të njëjtat pasione e ato janë zonja Rita dhe zonja Nora Berisha, të cilat Radio KFOR-it i rrëfyen raportet që ato kanë mes vete:
“Në momentin që njëra sëmuret, tjetra gjithsesi që do të ndjejë dhimbje, nëse njëra gëzohet, padyshim që tjetra do të përjetoj gëzim. Kështu pak a shumë mund të përkufizoj ndjenjat që ne kemi për njëra tjetrën’’, u shpreh zonja Rita.
Ndërsa, zonja Nora shpalosi edhe disa detaje të tjera nga jeta e tyre: “Jam shumë e lumtur që kam jo vetëm një motër, por dhe një person që duket identik si unë, që mendon e flet si unë dhe që ndanë me mua çdo sekret. Përveç anëve pozitive dhe benefiteve që ne kemi si motra, ana negative në këtë aspekt, mbetet përjetimi i momenteve të trishta që mund të kemi në jetë, e të cilat nuk do të doja t’i përjetonte edhe motra ime.”’