Kjo javë ka nisur mbarë, me ngjarje të shumta të cilat mund ti ndiqni dhe të bëheni pjesë e tyre. Nëse ju pëlqen leximi dhe diskutimi i tregimeve të letërsisë klasike e bashkëkohore dhe nëse dëshironi t’i përmirësoni aftësitë tuaja të leximit dhe të folurit në gjuhën angleze, të martën me 28 mars, nga ora 18:00, në hapësirat e truAktiv-it mund të bashkoheni me Klubin e Tregimeve të Shkurtra, për të diskutuar tregimin “Louisa, Please Come Home” nga autorja Shirley Jackson.
Një tjetër ngjarje e bukur do të jetë padyshim edhe koncerti për 2 vjetorin e formimit të shoqatës Noricum Culture. Fëmijët e qytetit të Prizrenit dhe jo vetëm do të kenë mundësinë të argëtohen me muzikën e Orkestrës të të Rinjve të Kosovës (KOSOVO YOUTH ORCHESTRA), me veprën Karnevali i Kafshëve (The Carnival of the Animals) nga Camille Saint-Sawns. Hyrja do të jetë falas, ndërsa koncerti do të filloi nga ora 17:00, në ambientet e Amfiteatrit të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.
Dashamirët e librit kanë edhe një tjetër hapësirë për të diskutuar rreth letërsisë. March Book Club do të mblidhet me datën 29 mars, nga ora 17:00 në hapësirat e American Corner Pristina, për të diskutuar dy vepra “Sula” nga Toni Morrison dhe “The Bell Jar” nga Sylvia Plath.