Derisa LG po përballet me humbje të mëdha dhe Facebook po shfaq probleme sigurie, SONY e Samsung, janë duke shënuar suksese të shumta. Këto dhe informacione të tjera rreth teknologjisë, Radio KFOR-i ju sjellë në vijim:
– Duket që tregu i zgjeruar i telefonave të mençur, ka bëre që kompania LG, të mbetet shumë prapa në këtë fushë, aq sa ta mendojë daljen nga tregu apo mos të prodhoj më telefona të mençur. Për shkak të humbjeve që qëndrojnë deri në 4.500 milion dollarë, në 5 vitet e fundit, LG po shqyrton tërheqjen totale apo edhe një tërheqje graduale nga ky biznes.
– Në anën tjetër Sony, ka prezantuar modelet e para të TV LED, të cilët përmbajnë procesorin e njohur si “Cognitive Processor XR”, për më tepër këto pajisje vijnë me një çmim më të ulët krahasuar me modelet e para 4K. Sony për një kohë të gjatë, ka qenë prodhuesi kryesor i sensorëve të kamerave për telefona, mirëpo një studimi i ri sugjeron që situata e tregut ngadalë ka filluar të ndryshojë në favor të Samsung.
– Facebook nuk i ka punët aspak mirë kur është fjala për sigurinë e të dhënave të përdoruesve. Javën që sapo kemi lënë pas, hakerët kanë krijuar qasje në të dhënat e më shumë se 500 milionë përdoruesve të Facebook-ut. Në mesin e të dhënave janë numrat e telefonit, ID-të e Facebookut, emrat e plotë, lokacionet dhe në disa raste edhe adresat elektronike të përdoruesve.
– Kompania Micron, ka njoftuar se çmimet e memorieve DRAM (dynamic RAM) së shpejti do të rriten, për shkak të kërkesës së lartë në tregun e konsumit, në qendrat e të dhënave dhe tregjeve ‘cloud’. Ky informacion vjen pasi tregu u përballë me një mungesë të aksioneve dhe çmime të larta të kartelave grafike dhe procesorëve premium.
– Asistenti virtual Siri, duket që e ka marr shumë seriozisht çështjen e barazisë gjinore. Më parë, Siri nënkuptonte një zë gruaje, mirëpo me përditësimin e fundit të iOS-it, përdoruesve të iPhone dhe iPad do t’u kërkohet të zgjedhin zërin e tyre të preferuar gjatë konfigurimit të pajisjes se a dëshirojnë të dëgjojnë zë femre apo zë mashkulli, për ta promovuar diversitetin dhe pa asnjë lloj diskriminimi.