Në Evropë, mbi 5 milion gra çdo vit sjellin në jetë fëmijë, por me mijëra gra në gjithë botën nuk kanë kujdesin e duhur gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes. Ky aspekt përfshin kontrollet, këshillat dhe përcjelljen e gjendjes së gruas dhe fëmijës. Data e sotme, 11 prilli, është dita kur komuniteti global ngritin zërin dhe inicojnë aktivitete të shumta, për të shënuar ‘Ditën e amësisë së sigurt’.
Për të mësuar më shumë për rëndësinë e kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Gjinekologen/ Obstetër, Dr. Drita Kabashi: “Planifikimi familjar është shumë i nevojshëm, pasi që para planifikimit të shtatzënisë, një grua duhet të jetë e sigurt që nuk ka ndonjë problem gjinekologjik, prandaj duhet kontroll e thellë e organeve dhe kontroll për ndonjë infeksion të mundshëm apo çrregullime hormonale. Tek ne, ende ekziston mendimi se gruaja duhet të shkojë tek gjinekologu vetëm gjatë shtatzënisë, por që gradualisht kjo po ndryshon. Tani gjeneratat e reja bëjnë kontrolla të vazhdueshme, por gjithmonë vizitat te gjinekologu janë më të larta para lindjes dhe gjatë shtatzënisë.”
Doktoresha Drita, po ashtu potencoi se të gjitha gratë duhet të vizitojnë gjinekologun të paktën 2 herë në vit edhe nëse nuk kanë ndonjë problem gjinekologjik.