Radio KFOR-i: A është Kosova ende e kontaminuar me mina tokësore dhe eksplozive?
Z. Ciprian Andrica: Si çdo pjesë tjetër e botës që është përballur me konflikte të armatosura, për fat të keq po, Kosova është ende e kontaminuar me mina dhe eksplozivë të tjerë. Që nga viti 1999 janë raportuar dhe regjistruar më shumë se 4.520 lokacione, që përmbajnë mina ose mjete shpërthyese të pashpërthyera si predha, bomba ose bomba thërrmuese nën municione, lokacione të përcaktuara përgjithësisht si Zona të Rrezikshme apo me Rrezikshmëri. Menjëherë pas përfundimit të konfliktit, nën autoritetin koordinues të Kombeve të Bashkuara, filloi procesi i pastrimit. Kështu, ndikimi social dhe ekonomik i pranisë së minave dhe mbetjeve eksplozive u zvogëlua në mënyrë dramatike. Këto ditë po përballemi me një kërcënim të mbetur prej 75 zonave të rrezikshme, të cilat ende cenojnë sigurinë e njerëzve në disa zona specifike në Kosovë.
Radio KFOR-i: Ku ndodhen këto vende të rrezikshme, në mënyrë që njerëzit të kenë më shumë kujdes?
Z. Ciprian Andrica: Rajonet më të kontaminuara janë ato që ndodhen afër kufirit perëndimor të Kosovës me Shqipërinë dhe Malin e Zi, të ndjekura nga kufiri juglindor me Maqedoninë e Veriut. Në ato pjesë, kombinimet e minave dhe mbetjeve të tjera shpërthyese të luftës, janë ende të pranishme. Në veri të Kosovës, mjetet e pashpërthyera, siç janë nën-municionet, ende cenojnë sigurinë e njerëzve.
Radio KFOR-i: Cilët janë akterët përkatës të përfshirë në deminim në Kosovë? A ekziston një nivel i duhur koordinim/bashkëpunimi ndërmjet tyre?
Z. Ciprian Andrica: KFOR-i në koordinim të ngushtë me praninë ndërkombëtare, ka arritur që të krijojë deminimin dhe reagimin emergjent të EOD-së brenda Kosovës. Në të njëjtën kohë KFOR-i është pjesë aktive e sistemit të reagimit të EOD-së, në Kosovë. Më pas, Qendra Kosovare për Veprim ndaj Minave, është duke ushtruar në mënyrë profesionale Autoritetin e Veprimit ndaj Minave mbi institucionet në strukturat qeveritare dhe joqeveritare të deminimit të Kosovës.
Për sezonin e fundit të çminimeve të mbajtur në vitin 2021, duhet të vlerësohet kontributi i rëndësishëm për deminimin i ofruar nga Organizatat e Sigurisë së Kosovës, HALO trust dhe ekipet e çminimit të Norwegian People’s Aid. Duhet përmendur se për shkak të mbështetjes së konsiderueshme nga vendet donatore, që nga viti 2017, HALO Trust dyfishoi aftësitë e tyre operacionale, tani kanë dhjetë ekipe deminimi në Kosovë, ndërsa Norwegian People’s Aid operoi gjatë vitit të kaluar 2021, me nëntë ekipe. Në të njëjtën kohë, të gjitha përpjekjet dhe veprimet e organizatave deminuese janë planifikuar dhe koordinuar në mënyrë efektive nga Qendra e Kosovës për Veprim ndaj Minave. Për këtë përpjekje, KFOR-i po ofron shkëmbim informacioni dhe asistencë teknike si vlera të shtuara.
Radio KFOR-i: Cili është roli i institucioneve të ndryshme siç janë Organizatat e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-I, në lidhje me zvogëlimin e kërcënimeve eksplozive në Kosovë?
Z. Ciprian Andrica: KFOR-i, në bashkëpunim të ngushtë me prezencën ndërkombëtare, ka arritur që të krijojë aftësi për deminim dhe reagim ndaj EOD-së, përbrenda Organizatave të Sigurisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, KFOR-i është pjesë aktive e sistemit të reagimit të EOD-së, në Kosovë. Do të thotë që nëse telefononi policinë në numrin 192 ose 112, për të raportuar praninë e mundshme të ndonjë mjeti shpërthyes, një ekip i EOD-së nga Organizatat e Sigurisë së Kosovës ose nga KFOR-I, do të reagojë ndaj asaj thirrjeje. Praktikisht, Policia e Kosovës me oficerët lokalë ose të afërt do të sigurojnë vendin, në mënyrë që Skuadra e Bombave të Policisë të ndërhyjë. Nëse mjeti i dyshuar është një mbetje eksplozivi, atëherë organizata të tjera të sigurisë do të përfshihen në zgjidhjen e incidentit. KFOR EOD është i gatshëm t’i mbështesë të gjithë.
Radio KFOR-i: Përderisa sezoni i ri i çminimit humanitar është gati të fillojë, cilat ishin arritjet kryesore gjatë sezonit të fundit të çminimit, pra vitit 2021?
Z. Ciprian Andrica: Gjatë vitit 2021, operacionet humanitare të çminimit janë prekur nga pandemia COVID-19, por aktivitetet nuk janë ndalur, por janë zhvilluar nga të gjitha organizatat e angazhuara për çminim. Është pastruar një sipërfaqe totale prej më shumë se 3 milionë m2 dhe janë zbuluar dhe asgjësuar 851 mina dhe mjete shpërthyese. Këto janë rezultatet e përpjekjeve të përbashkëta të kryera nga ekipet e Organizatave të Sigurisë së Kosovës për deminim dhe EOD-ja, Halo Trust dhe Norwegian People’s Aid me asistencë teknike të KFOR-it.
Kjo intervistë u realizua me shefin e Menaxhmentit të Trajtimit të Eksplozivëve (ETM) të KFOR/JENG, z. Ciprian Andrica, për rreziqet eksplozive në Kosovë.