Për tu njoftuar më shumë rreth “Dhomave familjare”, se çfarë janë ato dhe sa të rëndësishme janë, Radio KFOR-i realizoi një intervistë me Drejtoreshën e Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Preventivë, Nënkolonele, Zylfije Dema:
Radio KFOR: Çfarë janë “Dhomat familjare”?
Nënkolonele, Zylfije Dema: “Dhoma familjare” është vend, në kuadër të stacioneve policore, ku zhvillohen intervista me viktimat e dhunës në familje si dhe bëhet akomodimi i përkohshëm i fëmijëve të viktimës. Momentalisht janë 26 “Dhoma familjare” funksionale, në 41 Stacione Policore. Aty ku nuk kemi pasur mundësi të krijomë ”Dhoma familjare”, kemi adaptuar zyra të veçanta, për t’i trajtuar viktimat në mënyrë sa më profesionale. Rrjedhimisht, aplikojmë një qasje me fokus, ku viktima të jetë në qendër të të gjitha masave, duke bashkëpunuar në mënyrë efektive me të gjithë akterët relevantë, si dhe duke konsideruar edhe parimet e sigurisë së viktimës, privatësinë, konfidencialitetin, respektimin dhe mos diskriminimin. ”
Radio KFOR: Cili është roli juaj në përkrahjen e “Dhomave familjare”?
Nënkolonele, Zylfije Dema: “Roli ynë gjatë trajtimit të dhunës në familje, ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje, të ofrojë mbrojtje dhe siguri për viktimat dhe të tjerët, të zhvillojë hetim profesional për të gjitha incidentet e raportuara, të abuzimit në familje, në një mënyrë të qëndrueshme, të fuqishme dhe pro aktive, në përputhje me standardet hetimore.
Policia e Kosovës, në kuadër të strukturës organizative ka ngritur sektor dhe njësi të veçanta me personel të trajnuar, për t’i ofruar viktimave të dhunës në familje mbrojtje, siguri dhe shërbime të nevojshme. Kështu që, Policia e Kosovës, dhunën në familje e trajton në tri nivele: në nivelin Qendror, Rajonal dhe Lokal”.
Radio KFOR: Sa janë të rëndësishme këto dhoma për shoqërinë tonë?
Nënkolonele, Zylfije Dema: “Dhuna që ndodhë brenda katër mureve, nuk shihet më si një çështje personale midis dy njerëzve. Ajo konsiderohet si një çështje publike, që nuk tolerohet më. Mbrojtja nga dhuna, është një e drejtë themelore e njeriut që vlen gjithashtu edhe në shtëpi. Rëndësia e këtyre dhomave është që viktima të ndjej vetën sa më komod, në mënyrë që të shprehet më lirshëm dhe të tregojë komplet ngjarjen. Të dhënat e sakta për ne janë shumë të rëndësishme, për të vazhduar hetimet e mëtutjeshme.”
Radio KFOR: Cili do të ishte mesazhi juaj për dëgjuesit e Radio K4-it?
Nënkolonele, Zylfije Dema: “Policia e Kosovës, ka vënë në dispozicion të qytetarëve disa forma dhe mënyra për raportim të krimit, përfshirë këtu edhe veprat penale të dhunës në familje dhe dhunës seksuale, ku qytetarët e vendit përveç që mund të raportojnë këto raste në stacionet më të afërta policore, njëkohësisht mund të raportojnë rastet edhe në disa forma tjera, si: përmes telefonit: 092 nga telefonat fiks; në 192 nga Vala dhe 922 nga Ipko. Është edhe një numër i veçantë dhe konfidencial për lajmërimin e rasteve të dhunës në familje, e ai është: 0800 199 99, ku në këtë numër mund të bëhet raportimi i rasteve edhe jashtë vendit.
Pastaj, kemi edhe adresën elektronike: info@kosovopolice.com
Dhe mos harroni ta shkarkoni aplikacionin digjital ‘Lajmëro Policinë’! ”