Në vijim mund të lexoni intervistën e Zëvendëskomandantit të KFOR-it, Gjeneral-brigade Luca PIPERNI, realizuar ekskluzivisht për Radio KFOR-in:
Radio KFOR-i: I nderuar gjeneral brigade, ju po përfundoni misionin tuaj pas një viti. Cilat janë përshtypjet tuaja të përgjithshme dhe kujtimet më të mira që do të merrni me vete nga Kosova?
Gjeneral-brigade, PIPERNI: Në të vërtetë, ka qenë një periudhë shumë sfiduese për mua dhe ekipin tim. Dislokimi im i parë në Kosovë daton njëzet vjet më parë. Kapiteni dhe piloti i ri që shërbeu në aeroportin e Gjakovës në vitin 2002, nuk e kishte imagjinuar kurrë se do të bëhej zëvendëskomandant i KFOR-it.
Në atë kohë, si pilot, mund t’i vëzhgoja gjërat nga lart, ndërsa gjatë vitit të fundit kam pasur mundësinë t’i shoh çështjet nga një këndvështrim më i lartë.
Një nga mundësitë më interesante që pata, sipas rolit dhe përgjegjësive të mia, ishte padyshim seria e vizitave në Ekipet Ndërlidhëse dhe Monitoruese të KFOR-it, të cilat më lejuan të udhëtoj nëpër Kosovë dhe të shoh shumë vende, për të kuptuar më në fund shoqërinë dhe më thellë, mjedisin operacional.
Radio KFOR-i: Cilat ishin sfidat më të mëdha me të cilat u përballët gjatë mandatit tuaj?
Gjeneral-brigade, PIPERNI: Profesionalisht, mund të tregoj sektorin e trajnimit dhe stërvitjes, pasi ka qenë diçka e re në karrierën time me të cilën më është dashur të përballem. Në baza personale, sfida kryesore ishte përpjekja për të ruajtur çdo ditë harmoninë dhe ekuilibrin e duhur të brendshëm, për të mos lejuar që asnjë moment stresi të ndikojë në vendimet e mia.
Radio KFOR-i: Si e shihni Kosovën në të ardhmen?
Gjeneral-brigade, PIPERNI: Sigurisht, NATO-ja do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të përmbushur misionin e vet, sipas rezolutës 12/44 të OKB-së. Aleanca do të mbetet e paanshme dhe plotësisht e përkushtuar ndaj mandatit të saj, për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Në 20 vitet e fundit shumë gjëra kanë ndryshuar në Kosovë, veçanërisht në lidhje me sigurinë dhe lirinë e lëvizjes. Sigurisht që ka shumë më tepër për të bërë; përmes dialogut Prishtinë-Beograd dhe me mbështetjen e aktorëve ndërkombëtarë, besoj se shumë mosmarrëveshje mund të rregullohen. Normalizimi i marrëdhënieve është çelësi për një stabilitet afatgjatë.
Radio KFOR-i: Cila do të ishte porosia juaj për të gjithë njerëzit në Kosovë?
Gjeneral-brigade, PIPERNI: Gjatë misionit tim këtu, kam takuar të rinj që janë të përkushtuar për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Vazhdoni të punoni shumë, për të arritur qëllimet tuaja dhe kërkoni një përmirësim të vazhdueshëm dhe të pafund. Shmangni çdo rritje të tensioneve dhe përqendrohuni në respektim dhe dialog reciprok.