“Infermierët: një zë për të udhëhequr – Investoni në infermieri dhe respektoni të drejtat për sigurimin e shëndetit global”, me këtë moto sot, me 12 maj, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Infermierëve’, për të nderuar komunitetin e miliona infermierëve në botë, të cilët me punën e tyre të përditshme shpëtojnë jetë.
12 maji, ka një rëndësi të madhe për komunitetin e infermierëve, duke qenë edhe ditëlindja e infermieres më të famshme në botë, Florence Nightingale, e cila solli reforma të reja për infermierët në botë, dekada më parë. Edhe në Kosovë, për nder të kësaj dite ‘Oda e Infermierëve të Kosovës’, sot nga ora 10:00, organizon një tryezë të rrumbullakët që ka për qëllim të ngritë diskutimin lidhur me rolin dhe rëndësinë e infermierisë në sistemin shëndetësor, me ekspertë të kësaj fushe.
Infermierët kanë qenë një nga kategoritë më të rëndësishme krahas mjekëve gjatë pandemisë Covid-19, të cilët me mund dhe përkushtim kanë ndihmuar mijëra pacientë në gjithë botën me orare të zgjatura dhe madje shumë prej tyre, kanë humbur edhe jetën duke ndihmuar të tjerët.