Edhe Kosova ka filluar të përballet me valën e dytë të pandemisë globale ‘CoViD-19’, ku që nga java e fundit e muajit tetor, dukshëm janë shtuar rastet pozitive me këtë virus. Drejtoresha e Klinikës Infektive në Q.K.U.K, Lendita Ajazaj-Berisha, për Radio KFOR-in ka thënë se qytetarët duhet t’ia adaptojnë përditshmërinë e tyre zhvillimeve të fundit me ‘CoViD-19’, duhet rritur vetëdijen e tyre për rëndësinë e respektimit të masave për parandalimin e përhapjes së virusit: “Që nga java e kaluar kemi një fluks të shtuar të pacientëve që vinë për spitalizim dhe që po menaxhohen nga infektologët e Klinikës tonë. Po ashtu kemi një fluks të shtuar të pacientëve që vinë për trajtime ambulantore dhe numri sillet nga 130 deri në 160, brenda 24 orëve. Ne si qytetarë duhet të jemi të vetëdijshëm që virusi gjithmonë ka ekzistuar dhe se ende ekziston. Pasojë e kësaj ne kemi pacientë, të cilët vazhdimisht vinë me probleme të frymëmarrjes për të marrë trajtimin, prandaj e vetmja mënyrë që mundeni me i ndihmu stafit mjekësor, i cili qe 8 muaj po lufton me këtë virus, është respektimi i masave që po dalin nga institucionet shëndetësore, siç është respektimi i higjienës personale, mbajtja e maskës, distancës sociale si dhe të largohemi nga grumbullimet e panevojshme, sidomos në hapësira të mbyllura.”
Dr. Ajazaj-Berisha, tutje tha për Radio KFOR-in se pret që javëve në vazhdim të shtohet numri i të prekurve me këtë virus, megjithatë shtoi de do të mundohen që t’i menaxhojnë të gjitha rastet në mënyrën e duhur. Kujtojmë se që nga dita e djeshme, 2 nëntor 2020, masat e reja ‘Anti-CoViD’, kanë hyrë në fuqi, të cilat ndër të tjera, ua ndalojnë lokaleve të gastronomisë funksionimin nga ora 21:00 deri në ora 05:00, ndalojnë grumbullimin e më shumë se 5 personave në hapësira publike si dhe kufizojnë orarin e lëvizjes për të moshuarit mbi moshën 65 vjeç dhe të sëmurët kronikë.