Të bësh gjëra të mira për të tjerët, qofshin veprime të vogla, të paplanifikuara apo në mënyrë vullnetare, është mënyra më e fuqishme për të rritur lumturinë tonë si dhe të atyre që na rrethojnë. Një shembull i mirë i humanizmit është aktorja e mirënjohur Edita Dula, e cila me bamirësi merret që nga viti 2015, kurse në vitin 2016 themeloi edhe Organizatën Joqeveritare “Nëna dhe Fëmijë të Lumtur”. Në një bisedë me radio KFOR-in, zonja Edita, tregoi se sa e lumtur është me punën e saj dhe me ndihmën që i ofron familjeve, nënave dhe fëmijëve në nevojë: “Në organizatën tonë janë të regjistruara tashmë 700 familje skamnore, në gjendje tepër të rëndë. Prej tyre 200 nëna janë vetushqyese, që jetojnë me fëmijët e tyre në gjendje të mjerueshme pa kurrfarë përkrahje. Këto nëna edhe të gjitha këto familje që janë të regjistruara këtu ne mundohemi t’i ndihmojmë dhe në fakt i ndihmojmë falë njerëzve vullnetmirë. Të gjitha familjet që janë këtu ne u sigurojmë ushqim, veshmbathje si dhe mobile të ndryshme.”
Radio KFOR-i kontaktoi edhe Profesoreshën, Gorgana Toskiq (Gordana Toskić), e cila njëkohësisht në mënyrë vullnetare merret edhe me bamirësi: “Vullneti i mirë është i nevojshëm për të filluar me vullnetarizmin, është një forcë që drejton tërë përvojën, e cila përmirëson njohuritë dhe aftësitë që janë të nevojshme për t’u bërë qytetarë aktivë dhe aktorë të ndryshimeve pozitive në komunitetet lokale. Vullnetarizmi ju jep mundësinë për të ndihmuar të tjerët, përmirësoni njohuritë tuaja, fitoni përvojë dhe zbuloni talentet.”
Mirësia ndaj të tjerëve është ura që lidh lumturinë individuale me komunitetin më të gjerë dhe mirëqenien shoqërore. Dhurimi, na ndihmon të lidhemi me njerëzit dhe plotëson një nga nevojat tona themelore njerëzore – lidhjen njerëzore!