Ditëve të fundit ka filluar të bie gradualisht numri i qytetarëve, të cilët po rezultojnë pozitiv me ‘CoViD-19’. Kjo ka bërë që edhe nëpër Klinika të ketë numër më të vogël të pacientëve, të cilët po kërkojnë kujdes mjekësor.
Për tu njohur me gjendjen aktuale me ‘CoViD-19’ në Kosovë, Radio KFOR-i ka kontaktuar infektologun, Arben Vishaj, i cili tregoi se edhe në Klinikën Infektive ku ai punon, ditëve të fundit ka rënë numri i pacientëve me ‘CoViD-19’: “Numri i pacientëve është më i vogël. I kemi diku rreth 62 pacientë aktualisht. Kjo po ndryshon varësisht nga momenti, sepse ndodh nganjëherë i transferojmë në klinika tjera. Përpara kemi pasur shumë më shumë pacientë, deri në 120, ndërsa tani numri është më i vogël. Edhe klinikat e tjera si Klinika e Pulmologjisë dhe e Neurologjisë që kanë qenë të stërmbushura, më nuk janë. Faktikisht, Neurologjia ka fillu me zvogëlu shumë numrin, gati në zbrazje nga pacientët me ‘CoViD-19’. Edhe Klinika e Pulmologjisë ka fillu me pas më pak pacientë.”
Zvogëlimi i numrit të të prekurve me ‘CoViD-19’ nuk do të thotë se jemi në fazën e përfundimit të pandemisë, thotë tutje Infektologu Vishaj, i cili pati edhe një mesazh për të gjithë qytetarët, pa dallim: “Duhet të dihet se jemi në pandemi dhe masat e parandalimit duhet të respektohen në vazhdimësi nga të gjithë qytetarët. Kujdesi duhet të jetë maksimal.”