Kosova, ndonëse një vend i vogël në Ballkan, po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion turistik i larmishëm dhe i veçantë për të rinjtë vendas dhe vizitorët e saj. Për të folur për disa nga rekreacionet verore që do të mbahen në vendin tonë, i ftuar në Radio KFOR, ishte z. Rinor Zuka, nga Qendra Sportive dhe Rekreative për Fëmijë “Lazdrohu”, i cili në intervistën dhënë moderatores Trëndelina Duli, zbuloi disa detaje të rëndësishme në raport me aktivitetet që kjo qendër po i organizon: “Në kampin tonë veror “Pa mure”, kemi krijuar një ambient të mrekullueshëm në natyrë për fëmijët që do t’u japë mundësi të eksplorojnë, të zhvillojnë aftësitë e tyre dhe të kenë një lidhje të veçantë me natyrën. Vendi i kampit tonë në Prishtinë, është një oazë e vërtetë. Fëmijët do të jenë të rrethuar nga qetësia e natyrës, tingujt e zogjve dhe ajri i pastër. Ata do të qëndrojnë në zemrën e natyrës, ku muret zhduken dhe liria çel dyert e tyre drejt një aventure të papërshkrueshme. Aktivitetet si: hiking, kayak, sup paddle, biçikleta, rollera, skateboard, eksplorim në natyrë, shigjetari, ngjitje, muzikë dhe lojërat me ujë, janë vetëm disa prej aventurave që do të organizohen gjatë kampingut. Bashkë me ekipin tonë të përkushtuar dhe të kualifikuar, sigurojmë që kampi jonë të ofrojë një përvojë të sigurt dhe të rehatshme për fëmijët tuaj”, nënvizoi mes tjerash z. Rinori.
Aktivitetet fizike kanë shumë përfitime fizike, zhvillimore, psikologjike dhe sociale për fëmijët, ato i ndihmojnë fëmijët të mësojnë të kontrollojnë emocionet e tyre dhe të kanalizojnë ndjenjat negative në një mënyrë pozitive.