Në kuadër të projektit “Leja prindërore për barazi gjinore”, Instituti për Demokraci dhe Zhvillim, që financohet nga Qendra Ndërkombëtare “Olof Palme” dhe mbështetet nga Qeveria Suedeze, paraqet edicionin e parë të Çmimit të gazetarisë për barazi gjinore në Kosovë.
Qëllimi i realizimit të kësaj nisme është që të promovojë dhe të rrisë debatin rreth çështjeve dhe shkaqeve të pabarazisë gjinore, që kanë të bëjnë me tregun e punës dhe të ndikojë në mënyrë të tërthortë në pabarazinë gjinore nëpërmjet presionit mbi vendim-marrësit për ndryshim të politikave.
Thirrja për aplikim për ‘Çmimin e Gazetarisë për Barazi Gjinore 2018’, është e hapur për të gjithë gazetarët/et që veprojnë në Kosovë dhe që me punën e tyre e kanë mbuluar çështjen e barazisë gjinore në treg të punës, veçanërisht duke theksuar rëndësinë e politikave siç është leja prindërore në Kosovë.
Afati për aplikim është data 30 tetor 2018, ora 16:00.