Ndërsa vera arrin kulmin dhe ditët janë të ngrohta e plot me diell, gushti sjell me vete një ftesë të veçantë: të ndalemi për një moment dhe të mendojmë për romancën, atë ndjenjë që na lidh, na emocionon dhe i jep shpirt marrëdhënieve tona.
Shënimi i romancës në këtë muaj erdhi si ide dhe u krijua nga Eileen Buchheim, themeluese e kompanisë ‘Celebrate Romance’, në Kaliforni. Ajo filloi duke ndihmuar çifte të planifikojnë takime romantike për të kaluar kohë së bashku. Qëllimi i saj ishte të frymëzonte çifte për të rifreskuar pasionin dhe romancën në lidhjet e tyre gjatë gjithë vitit, jo vetëm për Shën Valentin. Muaji i Ndërgjegjësimit për Romancën, është një mundësi për të reflektuar mbi mënyrat se si e shprehim dashurinë dhe kujdesin ndaj partnerit apo partneres tonë.
Ky muaj nuk është vetëm për ata që janë në një lidhje. Është edhe për të reflektuar mbi mënyrën se si e duam dhe e vlerësojmë veten. Romanca fillon nga brenda dhe ta trajtosh veten me dashuri, respekt dhe kujdes është po aq e rëndësishme sa çdo marrëdhënie tjetër.







