Në skenën e muzikës elektronike, emri Alessandro Bruno, i njohur si Gravagerz, po fiton gjithnjë e më shumë jehonë. Vetëm 21 vjeç, artisti italian ka arritur të krijojë një identitet të fortë në stilin Euphoric House, ku ndërthur me mjeshtëri tingujt e House, UK Garage dhe Dubstep, duke sjellë një frymë të re në muzikën moderne evropiane.
Megjithëse është një artist i pavarur, Gravagerz ka ndërtuar një bazë të jashtëzakonshme dëgjuesish, mbi 7 milionë dëgjues mujorë në Spotify dhe më shumë se 300 milionë transmetime totale në të gjitha platformat. Ky sukses nuk është i rastësishëm. Pas tij qëndron ekipi profesionist i LEAF Management, në krye me Hajriz Bajramin, menaxher i njohur që më herët ka punuar me artistë, si Era Istrefi, DJ Regard dhe shumë të tjerë.
Nën kujdesin e LEAF, Gravagerz ka arritur të ndërtojë një strategji të fortë ndërkombëtare, duke dëshmuar se menaxhimi shqiptar mund të promovojë me sukses artistë nga çdo cep i botës.
Rrugëtimi i tij drejt famës nisi me publikime, si “Look Back at It” e realizuar në bashkëpunim me Tom Field dhe remix-e për Regard x Ella Henderson e Lana Del Rey ft. Quavo. Por, momenti që e katapultoi në skenën globale ishte remix-i i këngës së Billie Eilish “Chihiro”, i cili u bë viral në TikTok dhe Instagram, duke grumbulluar mbi 200 milionë dëgjime.
Sot, Gravagerz është shembulli i një artisti që po ndërton karrierë globale falë punës së palodhur, talentit të padiskutueshëm dhe një menaxhimi që kupton si funksionon industria moderne e muzikës.
Në vetëm një vit bashkëpunim me LEAF, ai ka dëshmuar se suksesi nuk njeh kufij dhe se edhe nga Kosova mund të udhëhiqen artistë që pushtojnë botën.







