Sot (14 tetor), në Radio KFOR, sollëm historinë e një artisti të ri që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën muzikore ndërkombëtare. Bëhet fjalë për reperin Definitely D, një emër që po ngjitet me shpejtësi në skenë, falë stilit të tij origjinal, energjisë në performancë dhe teksteve me mesazh. Reperi Definitely D, përmes punës së tij të përkushtuar, jo vetëm që sfidon stereotipat e zakonshëm të zhanrit, por edhe synon të ndikojë pozitivisht tek audienca, veçanërisht tek të rinjtë. Në këtë frymë, ai i drejtohet muzikës me një qëllim të qartë, të përçojë paqe, bashkëpunim dhe frymëzim.
Këtë e pohoi edhe në intervistën ekskluzive dhënë Radio KFOR-it, ku mes tjerash reperi nënvizoi: “Çdo këngë që krijoj, e nisi me përkushtim dhe i drejtohem Zotit, sepse për mua muzika është një mjet i fuqishëm për të përçuar mesazhe të rëndësishme. Synimi im kryesor është që përmes muzikës sime, të përcjell një porosi paqeje dhe bashkëpunimi tek njerëzit, sidomos tek të rinjtë, të cilët janë e ardhmja e shoqërisë sonë. Nëpërmjet rrëfimeve personale që i sjell në këngët e mia, dua që njerëzit të gjejnë frymëzim dhe të ndihen të bashkuar, sidomos në një kohë kur shumë reperë shpeshherë promovojnë dhunë apo mesazhe negative në muzikën që ata krijojnë. Unë dua të jem ndryshe dhe të ofroj një perspektivë pozitive për zhanrin muzikor rap, dua ta kthej atë në një zë që përhap vlera të mira dhe shpresë për të gjithë dëgjuesit.”
Projektet e tij si “Get Into It” dhe “30 Days” tashmë po qarkullojnë në platformat muzikore digjitale, duke krijuar një identitet unik që ndërthur tekstin e thellë me ritme moderne. Por më shumë se notat muzikore, është mesazhi që e veçon Definitely D, thirrja për unitet, reflektim dhe vlera njerëzore. Ajo që e bën historinë e tij edhe më të jashtëzakonshme është fakti se, krahas karrierës së tij muzikore, Definitely D shërben edhe si paqeruajtës në Air Force, aktualisht në mision në Kosovë si pjesë e KFOR-it.
Në një kohë kur bota ka nevojë për më shumë zëra që ndërtojnë ura, Definitely D është një kujtesë e gjallë se muzika mund të jetë më shumë se argëtim, ajo mund të jetë mision, shërbim dhe ndikim.







