Gjuhët janë instrumentet më të fuqishme të ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë sonë, kulturës dhe diversitetit gjuhësor në botë. Ideja për të shënuar ‘Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare’, ishte iniciativë e shtetit të Bangladeshit, për tu miratuar pastaj në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në 1999 , ndërsa në gjithë botën shënohet që nga viti 2000. Në botë fliten rreth 6.500 gjuhë të ndryshme dhe në këtë ditë synohet të rritet ndërgjegjësimi për ruajtjen dhe rëndësinë e diversitetit gjuhësor.
Rreth kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me studiuesen dhe përkthyesen e letërsisë, znj. Orjela Stafasani, e cila foli rreth rëndësisë së gjuhëve dhe funksionit të saj: “Gjuha është shtëpia e Qenies” thoshte Martin Heidegger, prandaj edhe caku në të cilin finalizohet mendimi është gjuha. Në të kundërt, ashtu siç thoshte Ferdinand de Saussure, ‘Mendimi pa gjuhë, do të ishte një mjegullnajë’. Pra, rëndësia e kësaj dite është e padiskutueshme, por jo e njëjtë për të gjithë përdoruesit e saj. Ndërsa për mua që merrem me përkthime dhe redaktime, është e një rëndësie sipërore. Për sa kohë bashkëveprojmë me fusha dhe me kultura të ndryshme, atëherë edhe pasurimi i gjuhës është domosdoshmëri. Një gjuhë që nuk pasurohet, rrezikon të mbetet pasive dhe të mos i plotësojë nevojat e folësve të saj, duke çuar deri në zhdukje të saj, siç ka ndodhur me disa gjuhë tashmë.”
Gjuhët vënë në fokus botën tonë, i japin strukturë mendimeve tona dhe na ndihmojnë të komunikojmë me njerëzit përreth nesh. Ato janë koncepte të ndërtuara nga trashëgimia jonë, njerëzit tanë dhe ndërveprimet tona me botën, që rriten dhe ndryshojnë duke krijuar lidhje dhe komunikime me njerëzit dhe botën.