Sipas Federatës Botërore së të Shurdhërve, në mbarë botën ka më shumë se 70 milionë njerëz të shurdhër, të cilët përdorin më shumë se 300 gjuhë të ndryshme të shenjave. Sikurse edhe gjuhët e folura edhe gjuhët e shenjave në çdo vend janë të ndryshme.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka shpallur datën e sotme, 23 shtatorin ‘Ditë Ndërkombëtare të Gjuhëve të Shenjave’, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për rëndësinë e gjuhës së shenjave. Kjo datë, përkon me datën e themelimit të Federatës Botërore së të Shurdhërve, e cila u themelua në vitin 1951.
Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara njeh dhe promovon përdorimin e gjuhëve të shenjave dhe aty bëhet e qartë se gjuhët e shenjave janë të barabarta në status me gjuhët e folura dhe kjo Konventë i detyron shtetet, të lehtësojnë mësimin e gjuhës së shenjave dhe të promovojnë identitetin gjuhësor të komunitetit të Shurdhërve.
Sot, bëhet thirrje për unitet global për të rritur ndërgjegjësimin për problemet me të cilat përballen personat e shurdhër, në jetën e tyre të përditshme.







