Sot, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Personave të Moshuar’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara për të vënë në pah rëndësinë e respektimit, përkujdesjes dhe fuqizimit të gjeneratës së tretë. Kjo ditë ka për qëllim të rikujtojë shoqëritë në mbarë botën, mbi kontributin e madh që personat e moshuar kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në familje, komunitet e shoqëri. Në të njëjtën kohë, kjo ditë ka për qëllim të theksojë sfidat me të cilat përballen të moshuarit, nga problemet shëndetësore e deri tek përjashtimi social apo diskriminimi në moshë.
Sipas të dhënave të OKB-së, popullsia botërore po plaket me ritme të shpejta, ku deri në vitin 2050, pritet që një në gjashtë persona në botë, të jetë mbi 65 vjeç. Ky ndryshim demografik e bën edhe më të domosdoshëm krijimin e politikave dhe shërbimeve që garantojnë jetë dinjitoze për të moshuarit.
Kjo ditë na shërben edhe si një thirrje për më shumë vëmendje, kujdes dhe respekt ndaj gjeneratës së artë, prindërve dhe gjyshërve tanë, të cilët meritojnë jo vetëm mirënjohje, por edhe mbështetje konkrete për një jetë më cilësore.







