Festivali që po vazhdon traditën e rock-ut në Kosovë, një zhanër muzikor që në vendin tonë ka fillet nga vitet e 60-ta, e që tashmë përmes festivaleve të tilla, po kultivohet edhe tek gjeneratat e reja, do të filloj pasnesër (26.08.22).
Më saktësisht, Spitfire Festival do të mbahet me datat 26, 27 dhe 28 gusht, duke sjellë në skenë emrat më eminentë të rock-ut shqiptar. Nata e parë, do të fillojë me Aleksandër Gjoka, Redon Makashi, Elton Deda dhe të tjerë, me energjinë dhe me meloditë e bukura që e përçojnë këngët e tyre, pastaj nata e dytë vazhdon nën tingujt e Bojken Lako’s, Jericho’s, e shumë e shumë të tjerëve, për tu përmbyllur me natën e tretë, me performancën e këngëtarit, Eugent Bushpepa.
Për tu argëtuar me muzikë rock në këtë festival, Radio KFOR-i ka dhuruar bileta falas, për fansat e këtij zhanri muzikor, për ti mundësuar edhe dëgjuesve tanë, që të shijojnë nga afër performancat e artistëve të tyre të preferuar.