Ajo që kemi parë ditëve të fundit, ku rastet me COVID-19 janë rritur, na dëshmon të gjithëve se pandemia nuk ka përfunduar dhe ne ende kemi rrugë për të bërë, deri në fundin e saj. Variantet e reja dhe zbehja e kujdesit ndaj virusit, përbëjnë një rrezik real për të gjithë, sidomos për ata që nuk janë vaksinuar ende. Kjo mund të sjell vështirësi të tjera për personelin shëndetësor dhe të kthejnë pamjet dhe përjetimet e rënda në spitalet tona.
Me shtimin e rasteve të personave të prekur me virusin CoViD-19, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi, ditë më parë ka publikuar një mesazh në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, përmes së cilit i fton të gjithë, që të respektojnë masat dhe të vaksinohen: “Me përuljen më të madhe, ju lus që për shëndetin tuaj dhe shëndetin tonë të përgjithshëm, të vaksinoheni, me dozën e radhës të vaksinës kundër COVID-19, në mundësinë e parë. Shëndeti është vlera më e madhe për çdo njeri prandaj ta vlerësojmë, ruajmë dhe të kujdesemi për të!”.
Për rastet e shtuara me ‘CoViD-19’, për Radio KFOR-in foli Specialisti i Pulmologjisë, Dr. Besim Morina: “Kemi një ngritje në numër të personave të infektuar, por sa e qëndrueshme është kjo ngritje, pra mbetet të shohim në ditët në vazhdim. Ne duhet të shohim trendin, nëse ky trend është i qëndrueshëm, nëse kjo rritje është e qëndrueshme, pastaj të merren masa dhe të kemi një pasqyrë më të saktë. Ende është herët të themi se kemi një paraqitje të një vale të re, por mund të themi se kemi një rritje të lehtë të numrave të të infektuarve me CoViD-19.”
Kosova është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit kundër virusit COVID-19, në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ekipet e vaksinimit, kanë dhënë deri tash mbi 1.8 milionë doza të vaksinës, ndërsa rreth 1 milionë persona, kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.