Tetori, është muaji i 8-ti me radhë në përballje me pandeminë ‘CoViD-19’ në Kosovë. Të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik tregojnë se numri i të infektuarve me këtë virus, tanimë ka kaluar 16-mijëshin, andaj në vazhdimësi po bëhet thirrje për respektim të masave anti-CoViD.
Ballafaqimi me këtë virus nuk është i lehtë, thotë gazetarja, Jehona Zhitia, e cila për disa javë kishte qëndruar e shtrirë në Klinikën Infektive, për të marrë trajtimin e duhur mjekësor për ta luftuar ‘CoViD-19’. Në një rrëfim për Radio KFOR-in, ajo thotë se ky virus po vazhdon të merr jetë njerëzish, andaj apelon për kujdes të shtuar: “Ky virus i panjohur çdo ditë po merr jetë të shumë njerëzve, përfshirë edhe miqve të mi. Respektoni rekomandimet e institucioneve, shpëtoni jetën tuaj dhe të të tjerëve. Mos i ngarkoni më shumë mantel bardhët, jeta e tyre është në dorën tuaj dhe anasjelltas. Mos të bëhemi ne vatra e infeksionit në Evropë. Lutem që mos të rriten shifrat e vdekjeve e as të të infektuarve. Bashkë shkojmë drejt fitores.”
Me mbajtjen e maskës, distancës fizike dhe higjienës personale, ju mund të shpëtoni jetë!