Programi i GAIA-së në Mitrovicë, fton 15 të rinj, që të marrin pjesë në dy punëtori, me temën “Të kuptuarit e paqes”, të cilat do të udhëhiqen nga edukatori i ndërtimit të paqes, Nexhat Ismajli nga Organizata Aksioni Kundër Dhunës dhe Ndërtimi i Paqes (ANP).
Për t’u njoftuar më shumë rreth këtyre dy punëtorive për paqen, Radio KFOR-i kontaktoi koordinatoren e programit të GAIA-së në Mitrovicë, Mevlude Skuroshi: “Do t’i organizojmë dy punëtori për paqen, një në Veri dhe një tjetër në Jug të Mitrovicës. Këto punëtori do të jenë për të rinj të moshave nga 18 deri në 30 vjeç, kurse dokumentari i shkurtër, që ende nuk e kemi publikuar, do të shfaqet pas punëtorisë dhe kjo do të jetë e hapur për të gjitha moshat. Me 3 mars, fillon punëtoria e parë në Veri të qytetit të Mitrovicës, pastaj më 4 mars, është punëtoria e njëjtë, mirëpo në Jug të qytetit. Me 5 mars, e kemi shfaqjen e një dokumentari në Jug të Mitrovicës, e më 6 mars shfaqjen e dokumentarit të njëjtë, por në Veri të Mitrovicës.”
Pjesëmarrësit e punëtorisë “Të kuptuarit e paqes” do të kenë mundësi të shoqërohen si dhe të mësojnë dhe të diskutojnë për paqen në përgjithësi. Të interesuarit mund të aplikojnë në këtë faqe të internetit: https://forms.gle/F6LBznWYVwpctqhW6, deri më 26 shkurt.