Një fustan i bardhë, plot elegancë dhe hijeshi, kjo është preferenca apo ëndrra e shumicës së vajzave kur bëhet fjalë për një prej ditëve më të rëndësishme në jetën e tyre – martesën. Ekzistojnë arsye të shumta, të ndryshme nga njëra-tjetra, se pse ende fustani i bardhë dominon në përzgjedhjen e vajzave, në ditën e dasmës së tyre.
Stilistja e njohur amerikane, Vera Uang thotë: “Një fustan martese, përfaqëson shumë më tepër sesa thjesht një fustan. Ai është gjithashtu mishërimi i një ëndrre”.
Ka supozime se praktika e veshjes së fustanit të bardhë vjen nga nuset romake, të cilat mbanin veshur një tunikë të bardhë, e cila përfaqësonte pastërtinë dhe dëlirësinë e një gruaje. Më 1840, vëmendjen tek fustani i bardhë e ktheu mbretëresha britanike, Viktoria, kur u martua me Princin Albert. Në atë kohë, veshja e një fustani të bardhë ishte bërë edhe simbol i pasurisë dhe statusit të ngritur.
Viteve të fundit stilistët ofrojnë zgjidhje të shumta për nuset, sa i përket fustanit të martesës. Modelet dhe stilet e fustaneve janë ato që po ndryshojnë në vazhdimësi, por kur jemi te ngjyra, e bardha vazhdon të dominoj në martesa apo të mbetet favorite për nuset.