Çdo vit, më 30 qershor, bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Asteroideve’, një datë që na kujton rëndësinë e njohjes dhe monitorimit të këtyre trupave qiellorë që udhëtojnë me shpejtësi të lartë nëpër sistemin tonë diellor. Kjo ditë është themeluar me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2016, për të rritur ndërgjegjësimin për kërcënimet që paraqesin asteroidet dhe për nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar, në mbrojtje të planetit tonë.
Kjo datë nuk është zgjedhur rastësisht, pasi më 30 qershor, të vitit 1908, ndodhi një nga ngjarjet më të fuqishme të lidhura me një asteroid, që ra dhe shpërtheu në Tunguski, në Siberi. Një trup i vogël qiellor shpërtheu në atmosferë, duke shkatërruar më shumë se 80 milionë pemë, në një sipërfaqe prej mbi 2.000 km². Fatmirësisht, zona ishte e pabanuar dhe nuk pati viktima, por ngjarja tregoi fuqinë e madhe që mund të ketë një objekt relativisht i vogël, nëse përplaset me Tokën.
Agjencitë si NASA, ESA (Agjencia Evropiane e Hapësirës) dhe institucione të tjera në mbarë botën punojnë për të zbuluar dhe ndjekur orbitat e asteroideve që kalojnë afër Tokës.
‘Dita e Asteroideve’, përfshin aktivitete edukative në mbarë botën, si: leksione, panele diskutimi me shkencëtarë, transmetime live nga observatorët si dhe aktivitete për fëmijë dhe të rinj për të stimuluar interesin për astronominë dhe shkencat hapësinore.







