Qendra për Inovacion e Kosovës (Innovation Centre Kosovo) po e organizon eventin humanitar, me moton “Dhuro gjak, nise mbarë vitin 2025”. Ky aktivitet do të mbahet më 16 janar, në zyrat e Qendrës për Inovacion të Kosovës, në Prishtinë. Ngjarja, e cila është e hapur për të gjithë, do të zgjasë nga ora 10:00 deri në orën 13:00.
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, organizatorët theksojnë rëndësinë e dhurimit të gjakut, duke kujtuar se një dozë e vetme gjaku mund të shpëtojë deri në tri bebe të porsalindura apo të ndihmojë pacientë që kanë nevojë urgjente për transfuzion gjaku.
Qendra për Inovacion e Kosovës fton të gjithë që të marrin pjesë në këtë iniciativë fisnike dhe të ndihmojnë për të shpëtuar jetë. Pjesëmarrësit gjithashtu do të kenë mundësinë të informohen më shumë mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut dhe ndikimin që ka ky akt humanitar në shoqëri.