Fotografi i njohur nga Kosova, Arton Humolli, përmes rrjetit social “Facebook”, ka njoftuar se është shpallur fitues i edicionit të 39-të, të konkursit më të madh të fotografisë në botë “Le plus Grand Concours Photo du Monde”, në kategorinë “Beauty”.
Konkursi në të cilin ka dalë fitues fotografia e Humollit, organizohet nga revista prestigjioze “Photo”, me seli në Paris të Francës. Ndërsa, fotografia fituese e tij, në të cilën shihet modelja Gresa Hoti, njihet si ‘Mystic Eyes”. “Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e fotografisë fituese, “Mystic eyes”, duke filluar nga modelja Gresa Hoti, stilistja Njomëza Luci si dhe grimeren dhe frizerin, Sellma dhe Kaci. Njëkohësisht dua t’i falënderoj të gjithë ata që i besuan dhe vazhdojnë t’i besojnë punës time tash e 15 vite”, ka shkruar fotografi Humolli.
Revista “Photo”, e cila daton që nga viti 1967 llogaritet si një nga revistat më prestigjioze sa i përket artit të fotografisë. Në ballina të saj ka pasur personalitete të mëdha botërore, si: Barack Obama, Marylin Monroe, Michael Jackson, Rihanna, David Bowie, e të tjerë.