Fotografia është art i momentit, i emocioneve, historisë dhe kujtimeve që mbesin pas, për gjeneratat e ardhshme dhe ndryshimeve që pësojmë në jetë. Fotografia, përveç që kap momente të bukura e të hidhura, është edhe një dokument historik që dëshmon për ngjarje dhe përjetime njerëzore e natyrore.
Rreth këtij arti të momentit, sot (14.06.22) i ftuar në Radio KFOR, ishte fotografi, z. Enis Abdullahu, i cili foli rreth profesionit të tij dhe mesazhin që bart fotografia tek të tjerët: “Me fotografi kam filluar të merrem që nga gjimnazi dhe pastaj kemi blerë një kamerë me vëllain edhe fillova të fotografoj. Isha kureshtarë për fotografi dhe u dashurova në fotografi, pastaj fillova studimet për multimedia/dizajn që përfshinte edhe lëndën e fotografisë dhe vazhdova ta praktikoja. Një fotografi artistike, e bën mesazhi që përcjellë fotografia dhe e bukura e fotografisë është të mos kufizohemi në një lloj të fotografisë.”
Z. Enisi, porositi të gjithë të rinjtë që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe për ata që pëlqejnë fotografinë apo që fotografojnë, tha që nuk kanë nevojë për një aparat profesional për të fotografuar gjëra të bukura, thjeshtë fotografoni me telefonat tuaj, ato gjëra që juve ju pëlqejnë.