“You are the brightest star”, është koncepti i Growzillas, që ka triumfuar në konkursin e gjigandit global të medias ‘Forbes’, që ka shfaqur kështu dizajnin e vet në kanaçet e birrës të Forbes, në samitin ‘Under 30 Summit’, i cili u mbajtë në Ohio, të SHBA. Bashkëpunimi vjen pasi krye shefi ekzekutiv i Growzillas, Benjamin Kolenović i emëruar në listën e ‘30 Under 30’, mori ftesën për të përfaqësuar kompaninë në konkursin e mbajtur nga ‘Forbes’, për dizajnin e kanaçes. Në konkurs ku morën pjesë kompani nga e gjithë bota, triumfoi koncepti i dizajnit nga Growzillas, që bazohet mbi idenë “You are the brightest star”, ku kanaçja është e mbuluar nga një qiell me yje, me njërin nga yjet që veçohet, pasi ka shkëlqimin më të madh.
Për Radio KFOR-n, kryedizajnerja e artit grafik në Growzillas, znj. Enkela Maxhuni, ndër të tjera tha: “Çdo dizajn që krijoj, e konsideroj një yll timin, por jam shumë e lumtur që të ndaj me ju me të shndritshmin nga ta – dizajnin e kanaçes së birrës për ‘Forbes Under 30 Summit’. Ylli më i ndritshëm në dizajnin e kanaçes thotë “Ti je ylli më i ndritshëm” (You are the brightest star), i cili ka për qëllim të nxjerrë në pah potencialin e pakufishëm si galaktikë, që ka secili pjesëmarrës. Një rikujtim për këdo që rrëmben birrën, se gjëra të mëdha po vijnë në rrugën tuaj. Natyrisht, një ‘Shoutout’ për ekipin Growzillascreative, që punuan shumë në këtë projekt.”
Përndryshe, kanaçja e birrës, e cila është krijuar nga stafi i Growzillas, ishte pjesë e samitit ‘Under 30 nga Forbes’, në të cilin morën pjesë emra me renome nga industri të ndryshme, në mesin e tyre edhe Kendall Jenner, Bad Bunny, Alix Earle, MGK dhe shumë emra të tjerë të me famë botërore.