Karizmatike, e ëmbël, e talentuar, është kjo mexosopranoja e njohur, Flaka Goranci, e cila prej vitesh aftësinë e saj për të përhapur muzikën dhe kulturën shqiptare, e ka tejkaluar edhe nëpër teatrot më të rëndësishme të operës në botë, atje ku mënyra e saj e të interpretuarit, duartokitet vazhdimisht.
Nga Viena, atje ku jeton, përmes Radio KFOR-it, Flaka porositë të gjithë njerëzit, e të gjitha moshave, gjinive apo etnive, që të jenë sa më të bashkuar, tu premtojnë njëri tjetrit që vitin e ardhshëm të jenë njerëz më të mirë dhe vazhdimisht të ia shprehin dashurinë më të dashurve të tyre: “Të gjithë, pavarësisht profesioneve që u përkasim, statusit tonë personal apo profesional, e kemi një të përbashkët, sfidën me Covid-19, që po vazhdon të na atakoj edhe më tutje. Nga ajo që përjetuam gjatë këtyre viteve, na doli një mësim, që jetën dhe njerëzit tanë të dashur t‘i vlerësojmë më shumë. Prandaj unë, në këto festa të fund vitit, u bëjë thirrje të gjithëve, që të qëndroni sa më pranë njerëzve tuaj të dashur, të lini diçka me më pak rëndësi anash dhe tu qëndroni aty, atyre që kanë nevojë për dashurinë dhe prezencën tuaj dhe mos hezitoni tu thoni vazhdimisht se sa shumë i doni. Gëzuar festat e fund vitit, urime Viti i Ri 2022. Qoftë ndër vitet më të bukura për të gjithë”, uroi artistja, Goranci.
Kujtojmë që në muajin nëntor, Flaka risolli në skenë, këngën emblematike të artistit të shquar, Muharrem Qena, të titulluar “O vendi im”, si një projekt muzikor, i titulluar “Mallëngjimi”, orkestruar nga kompozitori dhe dirigjenti, Kushtrim Gashi, ekzekutuar nga instrumentistë nga Filarmonia e Vjenës, Adela Frasineanu, Edison Pashko dhe Mennan Berveniku.